Deputeti demokrat Saimir Korreshi ngriti sot në Kuvend një denoncim të fortë për situatën problematike të infrastrukturës në Lushnjë, sidomos gjatë reshjeve të ditëve të fundit. Ai tha se shirat e dendura kanë shkaktuar përmbytje të konsiderueshme në disa zona të qytetit, duke nxjerrë në pah edhe mungesën e sistemit funksional të kanalizimeve.
Korreshi theksoi se lagjja “Gafurr Muço”, e cila ndodhet në qendër të Lushnjës, është përmbytur jo vetëm nga shiu, por edhe nga fekalet, duke e cilësuar situatën “skandaloze dhe të patolerueshme për një qytet të Shqipërisë së vitit 2025”.
Sipas tij, banorët i kanë kërkuar ndihmë urgjente për të thithur ujin dhe bllokimet në pusetat e kanalizimeve, ndërsa deputeti u shpreh se problem mbetet edhe furnizimi me ujë të pijshëm, i cili mungon prej kohësh.
Korreshi solli edhe shembuj të tjerë të ndotjes që përballon qyteti, duke përmendur tymosjen e vazhdueshme nga fabrikat dhe pamundësinë e njerëzve për të hapur dritaret në shtëpi për shkak të ndotjes së ajrit.
Ai bëri thirrje që institucionet të marrin masa urgjente për të ndaluar degradimin e qytetit, ndërsa ironizoi gjendjen e infrastrukturës dhe higjienës publike, duke e krahasuar me një situatë absurde dhe të padenjë për standardet që pretendon qeveria.
“Në qendër të Lushnjës ndodh që njerëzit përmbyten nga fekalet. Si mund të quhet kjo normalitet?” – u shpreh deputeti, duke shtuar se fundviti do të gjejë banorët e Lushnjës “në kushte të papranueshme”.
Ai përfundoi me një paralajmërim politik, duke thënë se kjo tablo alarmante duhet të çojë në reflektim dhe përgjegjësi nga institucionet lokale dhe qendrore.
