Moti i keq ‘mbërthen’ vendin/ Problematikat nga reshjet e shiut në Shkodër, bllokohet një pjesë e rrugës në aksin Ura e Shtrejtë–Prekal

Data

Reshjet e shiut dhe moti i paqëndrueshëm kanë sjellë problematika të izoluara në disa bashki të veriut të vendit.

Situata më problematike raportohet në Bashkinë Shkodër, ku si pasojë e reshjeve është shembur një pjesë e rrugës në aksin Ura e Shtrejtë–Prekal, në vendin e quajtur “Shkallë Logje”. Autoritetet kanë vendosur sinjalistikën përkatëse dhe kanë bllokuar qarkullimin në këtë segment për të shmangur rrezikun për drejtuesit e mjeteve, ndërsa po punohet për vlerësimin e dëmit dhe rikthimin e lëvizjes normale.

Ndërkohë, mjetet borëpastruese kanë qenë gjatë gjithë natës në punë për mbajtjen e hapur të aksit Qafë Thore–Theth, ku ka pasur prezencë dëbore dhe ngricash.

Në Bashkinë Malësi e Madhe reshjet kanë pushuar. Tre borëpastruese ndodhen në aksin Tamarë–Vermosh, ku po kryhet kriposja për të garantuar qarkullimin e sigurt.

Në Bashkinë Vau i Dejës reshjet e shiut janë ndërprerë, por në disa njësi administrative janë regjistruar shkëputje të energjisë elektrike. Grupet e punës ndodhen në terren për riparimin e defekteve.

Në Bashkinë Fushë-Arrëz vijojnë reshjet e shiut me intensitet të lartë. Janë raportuar rënie gurësh dhe dherash në rrugët rurale, por akset mbeten të kalueshme dhe qarkullimi kryhet pa probleme.

Edhe në Bashkinë Pukë reshjet e shiut vazhdojnë të shoqëruara me erë të fortë, por deri tani nuk raportohen problematika.

Nga Drejtoria Rajonale e Ujësjellës-Kanalizimeve Lezhë bëhet e ditur se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar rreth 85 mm reshje shiu, pa krijuar probleme në kanalet kulluese, argjinatura apo digën e Rezervuarit të Shkodrës. Nivelet e lumenjve Buna, Drin, Kir, Gjadër dhe të rezervuarit janë nën kuotat e rrezikut për përmbytje, ndërsa hidrovoret e Velipojës ndodhen në funksion të plotë dhe në gatishmëri.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related