Reshjet e shiut dhe era e fortë kanë shkaktuar rrëshqitje gurësh dhe inertesh në disa akse rrugore nacionale në Qarkun Kukës, si pasojë e motit të keq që ka përfshirë zonën gjatë orëve të fundit.
Sipas raportimeve zyrtare, subjektet kontraktore kanë qenë në terren gjatë gjithë kohës, duke kryer pastrimin dhe kriposjen e rrugëve, pa krijuar pengesa për qarkullimin e automjeteve. Aktualisht, të gjitha akset rrugore nacionale në qark rezultojnë të qarkullueshme.
Nga bashkitë Kukës, Has dhe Tropojë nuk raportohen problematika emergjente. Megjithatë, si pasojë e kushteve atmosferike, disa zona kanë mbetur pa energji elektrike.
Pa energji janë:
- Njësitë administrative Surroj, Topojan, Shishtavec, Zapod, Kolsh dhe fshati Shemri (bashkia Kukës);
- Njësia administrative Lekbibaj (bashkia Tropojë);
- Fshatrat Vlahën dhe Cahan (Njësia Administrative Qendër Krumë), si dhe Njësia Administrative Fajza (bashkia Has).
Furnizimi me ujë të pijshëm vijon sipas orareve të përcaktuara nga Drejtoria Rajonale e Ujësjellës-Kanalizimeve Kukës.
Autoritetet lokale dhe strukturat përgjegjëse mbeten në monitorim të vazhdueshëm të situatës, ndërsa u bëhet thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të ndjekin njoftimet zyrtare.
