Qarkullimi i automjeteve në aksin rrugor Elbasan–Librazhd–Përrenjas po zhvillohet me vështirësi për shkak të ngricave të krijuara në disa segmente të rrugës. Temperaturat e ulëta kanë sjellë formimin e akullit, duke shkaktuar trafik të rënduar dhe lëvizje të ngadaltë të mjeteve.
Situata paraqitet më problematike në zonat malore dhe në kthesat e rrezikshme, ku rreziku për rrëshqitje është më i lartë. Në disa raste, edhe mjetet e tonazhit të rëndë kanë hasur vështirësi në kalim.
Autoritetet u bëjnë apel drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes maksimal, të ulin shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën dhe të jenë të pajisur me zinxhirë. Policia Rrugore ndodhet në terren për monitorimin dhe menaxhimin e qarkullimit.
