Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar autoritetet iraniane që të mos përdorin dhunë ndaj protestuesve paqësorë, duke deklaruar se SHBA është e gatshme të ndërhyjë nëse gjatë protestave vriten civilë.
Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Trump u shpreh se Uashingtoni është “gati dhe i përgatitur”, pa dhënë detaje konkrete mbi veprimet që mund të ndërmerren. Ai theksoi se përdorimi i dhunës ndaj protestuesve është një praktikë e përsëritur nga autoritetet iraniane dhe se SHBA nuk do të qëndrojë pasive në rast përshkallëzimi.
“Nëse Irani qëllon dhe vret me dhunë protestuesit paqësorë, Shtetet e Bashkuara do t’u vijnë në ndihmë,” deklaroi Trump.
Reagimi nga Teherani ishte i menjëhershëm. Ali Larijani, këshilltar i lartë i Udhëheqësit Suprem të Iranit, paralajmëroi se çdo ndërhyrje amerikane në çështjet e brendshme të vendit do të sillte destabilizim të gjithë rajonit.
“Trump duhet të jetë i kujdesshëm. Ndërhyrja e SHBA-së do të sillte kaos në Lindjen e Mesme dhe do të dëmtonte seriozisht interesat amerikane,” u shpreh Larijani.
Këto deklarata vijnë në një moment tensionesh të shtuara në Iran, ku protestat masive kanë hyrë në ditën e pestë. Sipas raportimeve, të paktën gjashtë persona kanë humbur jetën gjatë përplasjeve të fundit.
Protestat nisën në Teheran nga tregtarë të zemëruar për zhvlerësimin e fortë të monedhës vendase, rialit, kundrejt dollarit amerikan, dhe më pas u përhapën në universitete dhe qytete të tjera. Në disa zona janë dëgjuar thirrje kundër udhëheqjes klerikale dhe kërkesa për ndryshim të sistemit politik.
Këto janë protestat më të përhapura në Iran që prej vitit 2022, pas vdekjes së Mahsa Amini-t në paraburgim, megjithëse autoritetet theksojnë se situata ende nuk ka arritur të njëjtin nivel përshkallëzimi.
