Partia Demokratike ka reaguar lidhur me situatën e rënduar në Rrugën e Kombit, duke akuzuar qeverinë për mungesë totale përgjegjshmërie dhe dështim në garantimin e sigurisë rrugore gjatë motit të keq.
Sipas një deklarate të bërë nga një deputet i PD-së, ndonëse moti i keq dhe temperaturat e ulëta ishin paralajmëruar prej ditësh, autoritetet nuk kanë marrë asnjë masë parandaluese, si hedhja e kripës apo ndërhyrje të tjera për shmangien e aksidenteve.
“Partia Demokratike denoncon me forcë papërgjegjshmërinë e institucioneve shtetërore, të cilat, edhe pse ishin të paralajmëruara për kushtet e vështira atmosferike, nuk ndërmorën asnjë veprim në Rrugën e Kombit. Moshedhja e kripës dhe neglizhenca e plotë e qeverisë kanë sjellë kaos në qarkullim dhe një numër alarmant aksidentesh, duke vënë seriozisht në rrezik jetën e qytetarëve,” thuhet në reagim.
Sipas PD-së, kjo situatë është një tjetër dëshmi e dështimit të qeverisë për të garantuar sigurinë publike dhe tregon arrogancën e një pushteti që, sipas tyre, ka braktisur qytetarët.
Partia Demokratike i kërkon institucioneve përgjegjëse të veprojnë menjëherë, të marrin masa konkrete për stabilizimin e situatës dhe të mbajnë përgjegjësi për pasojat e shkaktuara.
Në përfundim, PD u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal në lëvizje, duke theksuar se mungesa e veprimit nga ana e qeverisë ka rritur rrezikun në akset kryesore të vendit.
