Ish-kryetari i degës së Partia Demokratike në Durrës, Arlind Boshku, ka reaguar ashpër pas përjashtimit të tij nga strukturat e partisë, duke drejtuar akuza të forta ndaj sekretarit të përgjithshëm Flamur Noka.
Në një reagim publik, Boshku thekson se familja e tij ka kontribuar për Partinë Demokratike prej 35 vitesh, pa kërkuar asgjë në këmbim dhe duke financuar vetë aktivitetet politike.
“Ndërkohë që ne mbulonim fushatat me shpenzimet tona, drejtues dhe kandidatë i kanë trajtuar këto sakrifica si pronë private, pa transparencë dhe pa përgjegjësi”, shprehet ai.
“U përjashtuam për një drekë”
Sipas Boshkut, vendimi për përjashtimin e tij dhe sekretarit të degës është marrë nga Kryesia me firmë të Nokës, ndërsa arsyeja zyrtare lidhet me një takim me Ervin Salianji.
Ai e kundërshton këtë, duke thënë se përjashtimi lidhet me kërkesat e tij për reflektim pas humbjeve dhe për më shumë demokraci të brendshme në parti.
“Kemi kërkuar që anëtarët të vendosin për lidershipin dhe jo lidershipi të zgjedhë anëtarët sipas interesit”, thekson ai.
Akuza për financime dhe luks
Boshku ngre akuza të drejtpërdrejta ndaj drejtuesve të opozitës, duke pretenduar se u kërkohen kontribute financiare anëtarëve pa transparencë.
Ai shton se këto para, sipas tij, përdoren për një “jetë luksi”, ndërsa baza e partisë përballet me vështirësi ekonomike.
“Është e papranueshme të kërkohen para për luks të shfrenuar, ndërkohë që demokratët vetëm varfërohen”, shprehet ai.
Përçarje në PD
Reagimi i Boshkut vjen në një moment tensionesh të forta brenda Partisë Demokratike, ku debatet për lidershipin, përjashtimet dhe drejtimin e partisë janë shtuar.
Ai thekson se, pavarësisht vendimit, do të vijojë të kontribuojë politikisht dhe e konsideron PD-në si “pronë të demokratëve dhe jo të një grupi të vogël drejtuesish”.
