Dalëngadalë po zbardhen detaje të reja lidhur me vrasjen e 67-vjeçarit Hysni Imeri, i cili humbi jetën nga një shpërthim me lëndë eksplozive në hyrjen e pallatit ku banonte.
Sipas hetimeve, personi që dyshohet se ka vendosur tritolin në panelin elektrik të pallatit është 27-vjeçari Gerti Bushati, një nga katër personat e arrestuar për këtë ngjarje të rëndë. Ai dyshohet se ka kryer veprimin kundrejt pagesës, ndërsa policia nuk përjashton mundësinë që pas kësaj vrasjeje të fshihen edhe persona të tjerë porositës.
Ajo që çoi në identifikimin e autorit të dyshuar kanë qenë pamjet e kamerave të sigurisë, të cilat e kanë fiksuar momentin kur i riu vendos lëndën plasëse në panelin elektrik. Si provë materiale janë sekuestruar edhe rrobat që ai dyshohet se ka veshur ditën e ngjarjes.
Në pranga janë vënë gjithashtu edhe tre shtetas të tjerë, të dyshuar si bashkëpunëtorë. Pas ndalimit, ata janë lënë në ambiente të monitoruara, ku kanë komunikuar mes tyre pa qenë në dijeni të mbikëqyrjes, ndërsa deklarimet e dhëna më pas kanë rezultuar kontradiktore.
Gjatë kontrolleve janë sekuestruar një numër i madh sendesh dhe materialesh, përfshirë telefona celularë, automjet, municion, para në lekë dhe euro, lëndë narkotike, pajisje GPS, kamera sigurie dhe një laptop.
Hetimet vijojnë për të zbuluar motivin e vrasjes, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për një sërë veprash penale të rënda, përfshirë vrasjen me paramendim dhe shkatërrimin e pronës me eksploziv.
