Tragjedia në Zvicër/ Shkon në 47 numri i viktimave nga zjarri në resortin e skive

Data

Bilanci i viktimave nga zjarri tragjik që shpërtheu gjatë festimeve të Vitit të Ri në resortin zviceran të skive Crans-Montana është rënduar ndjeshëm. Sipas autoriteteve dhe burimeve diplomatike, numri i të vdekurve ka shkuar në të paktën 47 persona, ndërsa mbi 110 të tjerë janë plagosur, shumë prej tyre në gjendje të rëndë.

Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, deklaroi për mediat italiane se procesi i identifikimit të viktimave do të jetë veçanërisht i vështirë dhe mund të zgjasë në kohë, për shkak të gjendjes së trupave pas zjarrit. Ai bëri të ditur gjithashtu se disa shtetas italianë të plagosur janë transferuar për trajtim mjekësor në Milano, ndërsa gjashtë italianë rezultojnë ende të zhdukur dhe 13 të tjerë janë të shtruar në spitale.

Nga ana tjetër, autoritetet zvicerane kanë konfirmuar shifra paraprake pak më të ulëta, duke raportuar rreth 40 viktima dhe rreth 115 të plagosur, por kanë theksuar se numrat mund të ndryshojnë me përparimin e identifikimit.

Policia kantonale e Valais njoftoi se identifikimi i viktimave mund të zgjasë disa ditë apo edhe javë, ndërsa nuk përjashtohet që mes të vdekurve të ketë shtetas të shumtë të huaj, për shkak të karakterit ndërkombëtar të resortit.

Zjarri shpërtheu pak pas mesnatës në një bar të mbushur me njerëz, duke shkaktuar panik dhe një operacion të madh emergjence. Dhjetëra ambulanca dhe helikopterë u angazhuan për transportimin e të plagosurve drejt spitaleve në të gjithë Zvicrën dhe jashtë saj, përfshirë qendra të specializuara për trajtimin e djegieve.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related