Ditën e sotme nis procesi i numërimit të mbi 27 mijë fletëvotimeve të ardhura nga diaspora për zgjedhjet e parakohshme në Kosovë. Bëhet fjalë për votat e dërguara përmes postës, të cilat janë tërhequr nga dy kutitë postare jashtë vendit.
Sipas të dhënave zyrtare, rreth 58 mijë shtetas ishin të regjistruar për votim nga diaspora, por ende nuk dihet numri i saktë i atyre që kanë ushtruar të drejtën e votës, pasi procesi i tërheqjes së fletëvotimeve nuk ka përfunduar ende. Tërheqjet e fundit të zarfeve do të bëhen më 2 dhe 5 janar 2026.
Deri tani janë tërhequr më shumë se 28 mijë e 500 pako me fletëvotime nga kutitë postare në Berlin dhe Bernë. Pas verifikimit, 27,600 pako janë aprovuar për numërim, ndërsa mbi 950 janë refuzuar. Arsyeja kryesore e refuzimit ka qenë mungesa e dëftesës së regjistrimit të votuesit në pakon me fletëvotim.
Ndërkohë, nga votimi fizik jashtë Kosovës, përmes përfaqësive diplomatike, kanë votuar gjithsej 16,165 persona.
Numërimi i votave të diasporës pritet të ketë ndikim të rëndësishëm në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme.
