Duke nisur nga 1 janari 2026, hyn zyrtarisht në fuqi sistemi bonus-malus për sigurimin e detyrueshëm motorik ndaj palëve të treta. Skema e re parashikon rritje të primit të sigurimit për drejtuesit e mjeteve që kanë shkaktuar dëme, ndërsa ata pa histori aksidentesh do të përfitojnë ulje, edhe pse në përmasa të kufizuara.
Sipas ekspertëve të tregut të sigurimeve, efekti kryesor i bonus-malus do të ndihet te drejtuesit me histori dëmesh, të cilët do të përballen me prime dukshëm më të larta krahasuar me tarifat aktuale. Nga ana tjetër, zbritjet për drejtuesit pa aksidente pritet të jenë modeste dhe jo të ndjeshme financiarisht.
Sistemi bazohet në rregulloren për përcaktimin e faktorëve të riskut në sigurimin e detyrueshëm motorik, e miratuar gjatë vitit 2024. Edhe pse rregullorja hyri në fuqi më 1 janar 2025, parimi bonus-malus nuk u aplikua në vitin e parë të zbatimit, duke u shtyrë për në vitin 2026.
Në përllogaritjen e primit të sigurimit, kompanitë marrin në konsideratë disa faktorë risku, si historiku i dëmeve, përfshirë rastet kur drejtuesi shkaktar nuk është i shënuar në policë, fuqia motorike e mjetit, mosha dhe përvoja e drejtuesit, përdorimi i mjetit për qëllime private apo biznesi, qarku i regjistrimit dhe vjetërsia e automjetit.
Aplikimi i bonus-malus ishte parashikuar që në ligjin për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit, i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2021. Megjithatë, ligji e konsideron këtë sistem si një të drejtë të kompanive të sigurimit dhe jo si një detyrim, çka vonoi zbatimin praktik deri në miratimin e rregullores përkatëse.
Pavarësisht hyrjes në fuqi të sistemit të ri, tregu i sigurimit të detyrueshëm motorik vijon të karakterizohet nga mungesa e konkurrencës reale. Primet e sigurimit mbeten pothuajse të njëjta në të gjitha kompanitë dhe ndarja e tregut ka ndryshuar shumë pak.
Sipas të dhënave për 9-mujorin e vitit 2025, tregu kryesohet nga Sigal, i ndjekur nga Eurosig dhe Sigma, ndërsa pjesa e kompanive të tjera mbetet pothuajse e pandryshuar krahasuar me një vit më parë.
Çështja e konkurrencës në tregun e sigurimeve të detyrueshme u ngrit edhe gjatë raportimeve institucionale në Kuvend, ku u theksua se stabiliteti i pandryshuar i pjesëve të tregut tregon mungesë të konkurrencës efektive mes kompanive.
