Prej dy ditësh, qarkullimi në aksin rrugor Strugë–Qafë Thanë është plotësisht i paralizuar, duke mos lejuar kalimin e asnjë mjeti në të dy drejtimet.
Shkak i bllokimit është rrëzimi i një autoboti të mbushur me gaz, ngjarje që ka detyruar autoritetet policore të ndalojnë totalisht lëvizjen, për të shmangur rreziqe serioze për sigurinë e qytetarëve dhe mjeteve.
Gjatë ditës së sotme është ndërhyrë me mjete të rënda dhe vinç, me qëllim largimin e autobotit nga rruga, por përpjekjet nuk kanë dhënë rezultat. Sipas burimeve zyrtare, puna pritet të vijojë edhe ditën e nesërme, ndërsa ende nuk ka një afat të qartë nëse rruga do të hapet më 1 janar.
Bllokimi ka sjellë pasoja edhe në pikat doganore, duke ndalur plotësisht qarkullimin si në hyrje, ashtu edhe në dalje. Situata ka penguar qindra qytetarë që kishin planifikuar të udhëtonin drejt Shqipërisë për të festuar ndërrimin e viteve.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin këtë aks rrugor dhe të ndjekin njoftimet zyrtare për çdo zhvillim të ri. Gjatë periudhave festive, në këtë pikë kalimi kufitar lëvizin çdo ditë mbi 6 mijë shtetas vendas dhe të huaj.
