Presidenti i Republikës ka përcjellë mesazhin e urimit për Vitin e Ri 2026, duke vënë theksin te interesi kombëtar dhe dialogu si shtylla kryesore që duhet të udhëheqin shoqërinë shqiptare në vitin e ri.
Në fjalën e tij drejtuar qytetarëve, Kreu i Shtetit theksoi rëndësinë e familjes si themeli i shoqërisë dhe nënvizoi se investimi tek fëmijët dhe të rinjtë përbën një zgjedhje të mençur dhe strategjike për ndërtimin e një Shqipërie me standarde evropiane. Ai vlerësoi punën e ndershme, përkushtimin dhe sakrificat e qytetarëve shqiptarë, duke i cilësuar si bazë të çdo arritjeje kombëtare.
Presidenti u ndal edhe te sfidat e vitit që po mbyllet, duke theksuar se Shqipëria ka dëshmuar vullnet për të ecur përpara. Sipas tij, vendi ka forcuar rolin ndërkombëtar dhe ka hedhur hapa konkretë drejt integrimit evropian, ndërsa është shënuar progres në forcimin e shtetit të së drejtës, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe në pavarësinë e sistemit të drejtësisë. Megjithatë, ai theksoi se mbetet ende punë për të ngushtuar pabarazitë dhe për të rritur besimin e qytetarëve tek institucionet.
Në mesazhin e tij, Presidenti bëri thirrje që viti 2026 të jetë vit i përpjekjes së përbashkët, ku standardi evropian të mos mbetet vetëm aspiratë, por të kthehet në një realitet të prekshëm për çdo familje shqiptare. Ai theksoi se bashkëpunimi, dialogu dhe bashkërendimi rreth interesave mbarëkombëtare janë thelbësore për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe më të begatë.
Urime të veçanta u përcollën për shqiptarët kudo që ndodhen, brenda dhe jashtë vendit, si dhe për të gjithë ata që në natën e ndërrimit të viteve janë në krye të detyrës, duke shërbyer për sigurinë, shëndetin dhe informimin e qytetarëve.
Në përmbyllje, Presidenti uroi shëndet, paqe dhe mbarësi për çdo familje shqiptare, duke theksuar se më shumë besim, mirëkuptim dhe solidaritet janë çelësi për të ndërtuar të ardhmen evropiane të Shqipërisë.
