Shpenzime rekord në fundvit, 1.2 miliardë euro në dhjetor ngrenë alarmin për menaxhimin e buxhetit

Data

Menaxhimi i buxhetit të shtetit për vitin 2025 ka ngritur shqetësime serioze mbi disiplinën fiskale dhe planifikimin financiar, teksa në muajin dhjetor parashikohet të shpenzohet një shumë rekord prej rreth 1.2 miliardë euro.

Sipas të dhënave zyrtare, në fund të muajit nëntor 2025 bilanci buxhetor rezultonte me suficit 49.1 miliardë lekë, rreth 500 milionë euro. Ky nivel ishte dukshëm më i lartë se parashikimi fillestar i buxhetit, i cili synonte një deficit prej rreth 23 miliardë lekësh. Në vend që kjo tepricë të ulej gradualisht, suficiti u zgjerua më tej gjatë vitit, duke devijuar nga plani buxhetor.

Për muajin dhjetor, parashikohet që të shpenzohet jo vetëm e gjithë teprica e krijuar në 11 muajt e parë, por edhe rreth 61 miliardë lekë të tjera në formën e deficitit të planifikuar, duke e çuar totalin e shpenzimeve të fundvitit në nivele shumë të larta.

Përqendrimi i shpenzimeve në muajin e fundit të vitit shihet si tregues i qartë i keqmenaxhimit të ciklit buxhetor. Në vend që shpenzimet të shpërndahen në mënyrë të njëtrajtshme gjatë vitit, krijohet një efekt grumbullimi që shpërthen në fund, me pagesa të nxituara dhe shpesh të shkëputura nga nevojat reale të ekonomisë në atë moment.

Të dhënat mujore tregojnë se viti 2025 nisi me suficit që në janar dhe ky trend u përforcua gradualisht gjatë muajve pasues, veçanërisht në tremujorin e parë dhe gjatë verës, ku suficiti qëndroi në nivele të larta. Megjithatë, në terma kumulativë, në fund të dhjetorit pritet që bilanci të përmbyllet me deficit rreth 68 miliardë lekë, pas një kthese të fortë financiare në vetëm një muaj.

Në fundvit përshpejtohen pagesat për investime publike, likuidime detyrimesh, subvencione dhe shpenzime të mbartura nga muajt e mëparshëm. Ky ritëm i përshpejtuar krijon presion mbi financat publike dhe sinjalizon mungesë planifikimi dhe serioziteti gjatë pjesës tjetër të vitit.

Ekspertët theksojnë se kjo praktikë dëmton cilësinë e shpenzimeve publike, pasi kontratat lidhen me nxitim, kontrolli dobësohet dhe rritet rreziku për vendime joefikase apo keqpërdorim fondesh. Në planin makroekonomik, injektimi i madh i parasë në fund të vitit ushtron presion inflacionist, veçanërisht në sektorë me kapacitete të kufizuara si ndërtimi dhe shërbimet.

Në vendet me administrim fiskal të konsoliduar, shpenzimet buxhetore janë të shpërndara më në mënyrë të balancuar gjatë vitit. Ndërsa në rastin aktual, përqendrimi ekstrem i shpenzimeve në dhjetor shihet si një problem kronik që kërkon reforma serioze në planifikim, prokurime dhe menaxhim financiar.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related