Shëndetësia në tkurrje, sëmundjet në rritje/ Qeveria ul fondet dhe e lë Shqipërinë të fundit në rajon

Data

Teksa nevojat për shërbime shëndetësore publike janë në rritje për shkak të plakjes së popullsisë dhe shtimit të barrës së sëmundjeve, financimi për shëndetësinë në Shqipëri po ndjek drejtimin e kundërt. Qeveria ka zgjedhur të shkurtojë fondet reale për këtë sektor jetik, duke e lënë vendin në fund të rajonit për shpenzimet publike në shëndetësi.

Të dhënat e projektbuxhetit afatmesëm 2026–2028 tregojnë se shpenzimet për shëndetësinë, si në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto ashtu edhe me buxhetin e shtetit, janë në rënie. Edhe pse zyrtarisht buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë paraqitet rreth 80 miliardë lekë, një pjesë e konsiderueshme e tij shkon për ndihmën ekonomike dhe jo për shërbimet shëndetësore.

Nga totali i buxhetit aktual, vetëm rreth 53 miliardë lekë janë të dedikuara drejtpërdrejt për shëndetësinë, ndërsa mbi 27 miliardë lekë përdoren për ndihmën ekonomike. Kjo do të thotë se shpenzimet reale për shëndetësinë përfaqësojnë vetëm rreth 2% të PBB-së, një nivel dukshëm i ulët për një sektor që përballet me kërkesa gjithnjë e më të larta.

Parashikimet për vitin 2028 janë edhe më shqetësuese. Fondet për shëndetësinë pritet të ulen si në vlerë absolute, ashtu edhe si përqindje e PBB-së, duke zbritur në rreth 1.7%. Ndërkohë, ekonomia pritet të rritet më shpejt sesa investimet në shëndetësi, çka e zvogëlon më tej peshën e këtij sektori në ekonominë kombëtare.

Në krahasim me rajonin, Shqipëria mbetet dukshëm prapa. Vendet e Ballkanit Perëndimor shpenzojnë ndjeshëm më shumë për shëndetësinë publike, ndërsa diferenca me standardin europian është edhe më e thellë. Në shumicën e vendeve të BE-së, financimi publik për shëndetësinë varion nga 7% deri në 10% të PBB-së.

Këto të dhëna tregojnë se, pavarësisht rritjes ekonomike, qeveria nuk po e kthen këtë rritje në më shumë shërbime për qytetarët. Arsimi, shëndetësia dhe mbështetja për familjet në nevojë mbeten nënfinancuara, duke ushtruar presion të vazhdueshëm mbi një sistem shëndetësor që tashmë po punon në kufijtë e kapaciteteve të tij.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related