Kryeministri Edi Rama ka shpallur nisjen e një operacioni të ashpër riorganizimi në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, të cilin e cilësoi si “operacion fshesa”, me synim disiplinimin e territorit dhe përmirësimin e funksionimit të shërbimit shëndetësor.
Gjatë konferencës së fundvitit me gazetarët, Rama njoftoi se do të rritet paga e mjekëve me 135 euro të tjera, ndërsa për personelin shëndetësor do të njihet edhe vjetërsia në punë. Sipas tij, kjo është pjesë e reformës për të motivuar dhe mbajtur mjekët në sistemin publik shëndetësor.
“Paga për mjekët do të rritet me 135 euro të tjera. Po kolaudohet godina tjetër e ‘Mbretëresha Geraldinë’, është ndërtuar spitali i Kardiologjisë në QSUT dhe është rindërtuar spitali i Peqinit”, deklaroi Rama, duke renditur disa nga investimet e fundit në shëndetësi.
Një nga masat më të forta të paralajmëruara lidhet me ndalimin e automjeteve private brenda territorit të QSUT-së. Kryeministri tha se të gjitha makinat, përveç atyre të shërbimit, do të largohen dhe hapësira do të shndërrohet në park.
“Të gjitha makinat nga territori i QSUT do të hiqen. Do të bëhet park. Automjetet private nuk do të lejohen më brenda. Do të ketë një parkim të madh multifunksional jashtë territorit të qendrës”, theksoi ai.
Sipas Ramës, këto masa synojnë t’i japin fund kaosit, zaptimeve dhe abuzimeve në një nga institucionet më të rëndësishme shëndetësore në vend, duke krijuar kushte më dinjitoze për pacientët dhe stafin mjekësor.
Operacioni i paralajmëruar pritet të shoqërohet me reagime të forta, veçanërisht nga ata që prej vitesh kanë shfrytëzuar hapësirat e QSUT-së, ndërsa qeveria e konsideron këtë ndërhyrje si një hap të domosdoshëm për “pastrimin” dhe modernizimin e sistemit shëndetësor.
