Prej pesë ditësh, qyteti i Vlorës po përballet me mungesë totale të ujit të pijshëm, për shkak të një defekti të rëndë në tubacionin kryesor të furnizimit. Sipas deklarimeve zyrtare të drejtuesve të ujësjellësit, ky segment i rrjetit nuk ka njohur investime që prej viteve 2009–2010, duke u amortizuar përtej çdo standardi sigurie.
Defekti, i shkaktuar nga konsumimi i tubit me diametër 1000 mm dhe nga faktorë natyrorë si rrëshqitjet e dherave, çoi në një dëmtim të parikuperueshëm. Pjesët e reja për riparim u siguruan nga jashtë vendit, ndërsa qyteti mbeti pa ujë për ditë të tëra, duke shkaktuar protesta dhe revoltë qytetare.
Ndërkohë, në zona të tjera të rrjetit të ujësjellësit të Vlorës – të palidhura me defektin aktual – janë realizuar investime të konsiderueshme financiare vetëm pak vite më parë. Këto punë janë kryer nga kompania “Gener 2”, në pronësi të biznesmenit Bashkim Ulaj, i njohur për lidhjet e tij politike dhe ekonomike.
Dy super-tendera për ujësjellësin
Tenderi i parë u hap më 20 maj 2020 nga Bashkia e Vlorës dhe Ujësjellësi, me objekt “Rikonstruksion dhe ndërtim i rrjetit të ujësjellësit në zonat Lungomare – Uji i Ftohtë – Shkolla e Marinës”. Vlera e kontratës ishte 6.3 milionë euro me TVSH dhe iu dha kompanisë “Gener 2” në bashkëpunim me “4 AM”, me një ofertë sa 99.3% e fondit limit.
Kontrata parashikonte garanci funksionimi 10-vjeçare, ku çdo defekt i mundshëm duhej të riparohej me shpenzimet e kompanisë private.
Tenderi i dytë u hap më 18 mars 2021 dhe iu dha sërish kompanisë “Gener 2”, me vlerë 3.2 milionë euro me TVSH, afat punimesh 6 muaj dhe ofertë sa 99.6% e fondit limit. Edhe ky projekt shoqërohej me garanci 10-vjeçare funksionimi.
Në total, vetëm këto dy kontrata për ujësjellësin e Vlorës kapin vlerën e rreth 9.6 miliardë lekëve të vjetra.
Një tjetër kontratë milionëshe
Më 21 maj 2021, Bashkim Ulaj përfitoi edhe një tjetër kontratë publike me vlerë 8.7 milionë euro me TVSH, për rikonstruksionin e ujësjellësit të fshatrave të Njësisë Administrative Novoselë në Vlorë.
Të tre këto procedura prokurimi rezultojnë të shënuara me “flamur të kuq” në sistemin e prokurimeve publike, për shkak të mungesës së garës reale dhe diferencave minimale nga fondi limit.
Pyetjet që ngrihen
Ndërsa qytetarët e Vlorës përballen me mungesë uji dhe pasoja të rënda në jetën e përditshme, mbetet e paqartë pse investime kaq të mëdha të kryera vetëm pesë vite më parë nuk kanë garantuar funksionimin normal të rrjetit, apo pse segmentet kritike të sistemit janë lënë jashtë këtyre projekteve.
Rasti ngre pikëpyetje serioze mbi planifikimin e investimeve publike, mbikëqyrjen e kontratave dhe përgjegjësinë institucionale për një shërbim jetik si furnizimi me ujë të pijshëm.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri në provimin e fajësisë me vendim gjyqësor të formës së prerë.
