SPAK ka zhvilluar një operacion të gjerë kundër një rrjeti mashtrimi kompjuterik që operonte përmes Call Center-ëve në Tiranë, duke vënë në pranga 6 persona dhe duke ndaluar disa të tjerë.
Hetimet nisën më 9 janar 2026, pas materialeve të dorëzuara nga gazetarë investigativë italianë, të cilët kishin dokumentuar aktivitetin e një Call Center-i që mashtronte shtetas italianë dhe europianë përmes platformave të rreme të investimeve në kriptomonedha. Qendra operonte në ndërtesën “Atti Tower”, në rrugën “Ibrahim Rugova”.
Sipas SPAK, aktiviteti ishte i mirëorganizuar, me staf që fliste disa gjuhë të huaja dhe me role të ndara qartë. Pasi organizatorët u sinjalizuan për një ndërhyrje të mundshme të autoriteteve, ambientet u boshatisën gjatë natës së 15–16 janarit dhe pajisjet u zhvendosën në një godinë tjetër në bulevardin “Bajram Curri”.
Falë ndërhyrjes së shpejtë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, disa persona u kapën në flagrancë gjatë transportimit të pajisjeve. Në ambientin e ri u gjet një Call Center tjetër në ndërtim, si dhe kompjutera, telefona, serverë, karta SIM, hard disqe dhe dokumente të ndryshme.
Në total janë arrestuar në flagrancë 6 persona, janë ndaluar 2 të tjerë dhe 3 persona janë shpallur në kërkim. Gjatë kontrolleve në 28 ambiente të ndryshme janë sekuestruar qindra pajisje elektronike, sisteme kamerash, dokumente, automjete, motomjete si dhe një automjet luksoz Ferrari, që dyshohet se i përket organizatorëve të skemës.
SPAK vijon hetimet në bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare për identifikimin e plotë të personave të përfshirë dhe të viktimave të mashtrimit.
