Një aktivitet argëtues në Brazil u kthye në një tragjedi të rëndë, pasi një burrë 37-vjeçar humbi jetën gjatë një gare për ngrënien e shalqirit, në prani të bashkëshortes së tij.
Ngjarja ndodhi më 11 dhjetor në një vendpushim në qytetin Sao Pedro. Viktima, Carlos Cerasoma, kishte marrë pjesë në një konkurs ku pjesëmarrësit duhej të hanin sa më shpejt një copë shalqiri, pa përdorur duart, për të fituar një çmim simbolik.
Pak minuta pas nisjes së garës, 37-vjeçari shfaqi shenja mbytjeje. Të pranishmit kërkuan ndihmë urgjente, ndërsa një roje plazhi dhe disa persona tentuan t’i jepnin ndihmën e parë. Ai u transportua me urgjencë në spital, por fatkeqësisht nuk arriti të mbijetojë.
Autoritetet konfirmuan se shkaku i vdekjes ishte asfiksia, si pasojë e bllokimit të rrugëve të frymëmarrjes.
Bashkëshortja e viktimës, Kimberly Santos, deklaroi se tavolina e përdorur për garën ishte shumë e ulët për gjatësinë e burrit të saj, duke e detyruar atë të përkulet në mënyrë të rrezikshme. Ajo theksoi gjithashtu mungesën e një ekipi mjekësor në vendngjarje dhe faktin se ndihma u ofrua vetëm nga persona të rastësishëm.
Sipas mediave lokale, familja e viktimës po shqyrton mundësinë e ndjekjes së hapave ligjorë për të zbardhur përgjegjësitë dhe kushtet në të cilat u zhvillua aktiviteti.
