Ministria e Brendshme ka njoftuar se duke nisur nga data 30 dhjetor, disa zyra të aplikimit për dokumente biometrike IdentiTek në Tiranë do të ndryshojnë vendndodhjen.
Sipas njoftimit zyrtar, tre zyra IdentiTek do të zhvendosen dhe shërbimet e tyre do të ofrohen pranë njësive administrative përkatëse, me qëllim rritjen e aksesueshmërisë për qytetarët.
Konkretisht, zyra IdentiTek 5, e cila ndodhej në rrugën “Robert Shvarc” në zonën e Komunës së Parisit, do të funksionojë tashmë pranë Njësisë Administrative Nr. 5, në zonën e Bllokut.
Ndërkohë, zyra IdentiTek 8 & 9, që deri tani operonte në rrugën e Barrikadave, do të ndahet në dy zyra të veçanta:
- IdentiTek 8 do të funksionojë pranë Njësisë Administrative Nr. 8, në rrugën e Dibrës;
- IdentiTek 9 do të funksionojë pranë Njësisë Administrative Nr. 9, në bulevardin “Zogu I”.
Ministria sqaron se qytetarët që kanë kryer aplikime për karta identiteti në zyrat IdentiTek 8 & 9 deri më tani, do t’i tërheqin dokumentet e tyre pranë Njësisë Administrative Nr. 8.
Sipas Ministrisë së Brendshme, këto ndryshime synojnë të afrojnë shërbimet e aplikimit për dokumente identifikimi më pranë qytetarëve dhe të përmirësojnë shërbimin ndaj tyre.
