Sinodi i Shenjtë i Kishës së Greqisë njoftoi se do të mbahet sot shërbesa e liturgjisë hyjnore në Mitropolinë e Athinës përpara trupit të kryepeshkopit të Shqipërisë, Anastas Janullatos.
Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Anastas u nda nga jeta në moshën 95-vjeçare më 25 janar 2025 në spitalin ‘Ungjëllizimi’ në Athinë ku ishte i shtruar prej 3 janarit.
Liturgjinë Hyjnore do ta kryesojë nënkryetari i Sinodit të Shenjtë, Mitropoliti i Nafpaktos dhe i Shën Vlasit, Jerotheosi. Pas përfundimit të saj, Kryepeshkopi i Athinës dhe i gjithë Greqisë, Jeronimos, do të mbajë një shërbesë për shpirtin e të ndjerit.
Në këtë shërbesë do të marrin pjesë kryeministri, Kyriakos Mitsotakis, dhe kryetari i PASOK-ut, Nikos Androulakis.
Sipas njoftimit, trupi i ndjerë i Kryepeshkopit do të qëndrojë në Katedralen e Shenjtë të Athinës, ku do të vendoset për nderime publike deri në orët e mëngjesit të së hënës, kur do të dërgohet në Shqipëri.
