Në prag të festave të fundvitit, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka ngritur alarmin për një valë mesazhesh mashtruese që po qarkullojnë në aplikacionin WhatsApp, me synim vjedhjen e të dhënave personale dhe marrjen nën kontroll të llogarive të përdoruesve.
Sipas autoriteteve, qytetarët po marrin mesazhe që duken sikur vijnë nga WhatsApp apo institucione zyrtare, ku u kërkohet të konfirmojnë llogarinë, të japin kode verifikimi ose të klikojnë faqe të dyshimta. Në momentin që përdoruesi vepron sipas udhëzimeve të mesazhit, mashtruesit marrin akses të menjëhershëm në llogarinë e tij dhe në të dhënat e ruajtura në telefon.
AKSK thekson se asnjë institucion zyrtar dhe as vetë WhatsApp nuk kërkon kurrë kode verifikimi përmes mesazheve. Çdo kërkesë e tillë duhet të konsiderohet tentativë mashtrimi.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe këshillojnë:
•Të mos klikojnë në asnjë link të dyshimtë
•Të mos japin kurrë kode verifikimi, pavarësisht se kush duket se e dërgon mesazhin
•Të kontrollojnë pajisjet e lidhura në WhatsApp përmes funksionit “Linked Devices”
•Të aktivizojnë verifikimin me dy faktorë për rritjen e sigurisë së llogarisë
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike thekson se vigjilenca personale është mbrojtja më e mirë kundër mashtrimeve online dhe u bën thirrje qytetarëve të raportojnë çdo mesazh të dyshimtë.
Në një periudhë me rritje të komunikimit digjital dhe blerjeve online, institucionet apelojnë për kujdes të shtuar për të shmangur humbjen e të dhënave personale dhe komprometimin e llogarive private.
