Ish-presidenti dhe ish-kryeministri Ilir Meta ka paraqitur një kërkesë për zëvendësimin e masës së sigurisë në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion, ku ndodhet në paraburgim prej më shumë se një viti.
Kërkesa është regjistruar zyrtarisht dhe pritet që gjykata të caktojë datën e seancës brenda afatit ligjor prej pesë ditësh. Meta kërkon rishikimin e masës së arrestit në burg, e cila vijon të jetë në fuqi që prej arrestimit të tij.
Më herët, përpjekjet e tij për ndryshimin e masës së sigurisë janë rrëzuar në të tre shkallët e gjyqësorit, të cilat kanë vendosur të lënë të pandryshuar masën e arrestit në burg.
Seanca e radhës pritet të përcaktojë nëse do të ketë ndonjë ndryshim në statusin e tij juridik, ndërsa hetimet ndaj Metës vijojnë në kuadër të procedimeve të Prokurorisë së Posaçme.
