Policia ka sqaruar zyrtarisht ngjarjen e rëndë të ndodhur paraditen e sotme në Shkodër, ku fillimisht u dyshua për një shpërthim me tritol. Sipas njoftimit zyrtar, shpërthimi ka ndodhur në panelin e matësve të energjisë elektrike dhe jo nga lëndë plasëse.
Ngjarja u regjistrua rreth orës 10:10, në lagjen “Manush Alimani”, në hyrjen e një pallati. Si pasojë e shpërthimit, u plagos rëndë shtetasi Hysni Ymeri, 69 vjeç, i cili u transportua në Spitalin Rajonal të Shkodres, por fatkeqësisht nuk arriti të mbijetojë.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për përcaktimin e shkakut të saktë të shpërthimit në panelin elektrik. Autoritetet bëjnë me dije se hetimet janë ende në fazë paraprake.
