“Ujësjellësi i Lubisë” – Vlora 5 ditë pa ujë, qytetarët shpërthejnë ndaj Ballukut: “Kuçedra, të futet në burg!”

Data

Prej pesë ditësh me radhë, qyteti i Vlorës po përballet me mungesë totale të ujit të pijshëm, duke nxitur revoltë dhe zemërim të hapur mes qytetarëve. Paraditen e sotme, dhjetëra banorë janë mbledhur përpara godinës së bashkisë, ku kanë protestuar ashpër kundër pushtetit lokal dhe atij qendror, duke kërkuar përgjegjësi për krizën që ka paralizuar qytetin.

Me pankarta në duar dhe thirrje të forta, qytetarët kanë ironizuar situatën duke e quajtur sistemin aktual “Ujësjellësi i Lubisë”, ndërsa zemërimi është përqendruar veçanërisht ndaj ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Një prej protestuesve e quajti atë “kuçedër”, ndërsa të tjerë kërkuan hapur ndëshkim penal për përgjegjësit e situatës.

“Janë tenderuar miliona euro dhe e kanë katandisur Vlorën në këtë derexhe. Dje donin të bënin mbrëmje gala, ndërsa qyteti po thahet pa ujë. Zonja e 7 për qind të dalë dhe të japë llogari për 26 vite keqmenaxhim. Sot Vlora nuk është më Vlorë. Turpi ka emër: Bashkia Vlorë,” u shpreh një qytetar gjatë protestës.

Të tjerë protestues ngritën alarmin për rrezik shëndetësor, duke paralajmëruar se mungesa e ujit po e çon qytetin drejt një krize sanitare. “I vraftë Zoti, jemi në prag të një epidemie,” tha një qytetar i indinjuar.

Kriza e ujit vjen në mes të ditëve festive, duke e bërë situatën edhe më të rëndë për familjet vlonjate, të cilat raportojnë se nuk kanë më asnjë rezervë uji në banesa. Qytetarët kërkojnë zgjidhje të menjëhershme dhe paralajmërojnë se protestat do të vijojnë nëse institucionet nuk reagojnë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related