Një ngjarje e rëndë ka tronditur paraditen e kësaj të hëne qytetin e Shkodrës. Një person, ende i paidentifikuar, ka humbur jetën pas një shpërthimi të fuqishëm në hyrjen e një pallati në zonën e Perashit.
Fillimisht u raportua se shkak i incidentit ishte shpërthimi i boksit elektrik të sahateve, por verifikimet e mëvonshme kanë rrëzuar këtë version. Punonjësit e OSHEE-së kanë konfirmuar se shpërthimi nuk ka lidhje me rrjetin elektrik, ndërsa hetimet paraprake tregojnë se bëhet fjalë për lëndë plasëse (tritol) të vendosur në hyrje të godinës.
I plagosuri u transportua me urgjencë në spitalin rajonal të Shkodrës, por për shkak të plagëve të rënda nuk ka mundur të mbijetojë.
Policia ka rrethuar zonën dhe ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes, identitetin e viktimës si dhe objektivin e mundshëm të atentatit. Deri më tani nuk ka informacion zyrtar mbi autorët apo motivet, ndërsa pritet që orët në vijim të sjellin detaje të reja nga grupi hetimor.
