Një pajisje e avancuar përgjimi, e sekuestruar nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit në zyrën e biznesmenit Ergys Agasi në zonën e ish-Bllokut, po konsiderohet nga burime pranë hetimit si një nga provat më tronditëse të viteve të fundit. Sipas të njëjtave burime, aparatura kishte regjistruar me zë dhe figurë çdo takim të zhvilluar në ambientet e zyrës, duke krijuar një arkivë voluminoze bisedash me ministra, drejtues institucionesh, zyrtarë policie dhe persona nga bota e biznesit e krimit.
Pretendohet se pajisja ishte instaluar me dijeninë e vetë Agasit dhe se materialet nuk janë fshirë, pavarësisht se ai ishte thirrur disa herë në SPAK dhe kishte kohë të mjaftueshme për të zhdukur çdo gjurmë. Përkundrazi, arkiva ka mbetur e plotë dhe e aksesueshme në momentin e bastisjes, çka ka shtuar dyshimet se biznesmeni ka zgjedhur të bashkëpunojë indirekt me hetuesit, duke “dorëzuar” një dosje të rëndë komprometuese.
Nga verifikimet paraprake flitet për mbi 130 video-përgjime, të cilat po analizohen një e nga një. Materialet përmbajnë takime dhe biseda të ndara në foldera sipas emrave dhe funksioneve të personave, duke krijuar atë që burime hetimore e përshkruajnë si një “dosier koordinimi” mes biznesit, administratës dhe politikës së lartë.
Në këto regjistrime, sipas raportimeve mediatike, shfaqen edhe figura të rëndësishme shtetërore, përfshirë drejtues institucionesh kyçe dhe zyrtarë të lidhur me sektorin e teknologjisë dhe prokurimeve publike. Një pjesë e materialeve lidhet me çështjen e AKSHI-t, ndërsa të tjera me procedura tenderash, ndërhyrje administrative dhe favore të dyshuara.
Burime pranë hetimit pohojnë se, për shkak të volumit dhe ndjeshmërisë së provave, SPAK ka ndarë dosjen kryesore në disa fraksione, për të thelluar hetimet sipas fushave konkrete: prokurime, pastrim parash, kontrabandë dhe shpërdorim detyre. Pajisja e përgjimit, laptopët dhe disa telefona të sekuestruar janë tashmë prova kyçe në këtë proces.
Ndërkohë, deklarata të mëparshme publike nga ish-zyrtarë të lartë, të cilët kanë folur për përgjime ambientale që implikojnë edhe rrethin më të afërt të kryeministrit, po rikthehen në vëmendje, duke rritur presionin politik dhe publik mbi hetimin. Sipas këtyre deklarimeve, ekzistojnë kopje rezervë të materialeve, gjë që e bën thuajse të pamundur zhdukjen e provave.
Hetimi mbetet në zhvillim dhe pritet të zgjerohet. Nëse përmbajtja e këtyre përgjimeve konfirmohet dhe përdoret në proces penal, dosja Agasi mund të shndërrohet në një nga skandalet më të mëdha politike dhe institucionale të pas viteve ’90, me pasoja që mund të shkojnë shumë më lart sesa biznesmenët e përfshirë.
