Një 50-vjeçar ka ndërruar jetë në ambientet e burgut të Lezhës. I dënuari, Sotir Shabani, u konstatua pa shenja jete nga oficeri i shërbimit gjatë ndërrimit të turneve, i cili vuri re se ai nuk po reagonte.
Menjëherë u njoftua mjeku i turnit, i cili pas verifikimit konstatoi vdekjen e të dënuarit. Sipas të dhënave paraprake, 50-vjeçari ishte nën trajtim mjekësor të detyruar.
Sotir Shabani ndodhej në burg që prej 27 nëntorit 2021, pasi ishte dënuar për veprën penale “dhunë në familje”.
Autoritetet kanë përgatitur dokumentacionin përkatës dhe kanë njoftuar drejtuesit e institucionit, specialistin e SHKBB-së, Komisariatin e Policisë Lezhë si dhe prokurorin e gatshëm, për vijimin e procedurave ligjore dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
