Viti që po mbyllet shënoi një kthesë të fortë në raportin mes pushtetit politik dhe sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Për herë të parë, figura të nivelit më të lartë të qeverisjes u vendosën përballë hetimeve penale, duke thyer perceptimin e gjatë të pandëshkueshmërisë.
Arrestimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, në muajin shkurt dhe marrja si e pandehur e zv/kryeministres Belinda Balluku në fund të vitit, u konsideruan momente historike në luftën kundër korrupsionit. Paralelisht, goditja e grupit të strukturuar kriminal të lidhur me tenderët e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) nxori në pah ndërthurjen e krimit të organizuar me administratën shtetërore dhe pushtetin politik.
Sipas analizës së BIRN, këto zhvillime u shoqëruan me përplasje të forta institucionale. Kryeministri Edi Rama dhe mazhoranca socialiste reaguan ashpër ndaj veprimeve të SPAK dhe gjykatave, duke akuzuar drejtësinë për tejkalim kompetencash, ndërsa nga ana tjetër prokurorët dhe gjyqtarët vijuan hetimet ndaj zyrtarëve të lartë.
Rasti i Ballukut, e akuzuar për manipulim tenderash me vlerë qindra milionë euro, solli një bllokim politik në Kuvend dhe një betejë ligjore në Gjykatën Kushtetuese. Ndërkohë, dosja e AKSHI-t zbuloi një realitet tronditës, ku tenderët publikë, rrëmbimet dhe shantazhet dyshohet se ishin pjesë e të njëjtit mekanizëm kriminal.
Edhe pas arrestimit të Veliajt, përplasja nuk u shua. Mbështetës të tij rrethuan gjykatën, ndërsa nga burgu ai ndërmori sulme të drejtpërdrejta ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve. Kryeministri, nga ana e tij, e shoqëroi këtë proces me një fushatë të ashpër publike kundër sistemit të drejtësisë, duke ngritur dyshime për përpjekje për të minuar besimin e qytetarëve tek institucionet e reja.
Në të njëjtën kohë, SPAK goditi edhe figura të tjera të rëndësishme politike dhe administrative, nga ish-presidenti Ilir Meta e deri te drejtues bashkish dhe institucionesh qendrore, duke e shndërruar vitin 2025 në një nga më intensivët në luftën kundër korrupsionit.
Sipas BIRN, mesazhi kryesor i këtij viti është i qartë: figura që dikur konsideroheshin të paprekshme nuk janë më mbi ligjin. Por përplasja mes pushtetit dhe drejtësisë mbetet e hapur, duke e kthyer luftën kundër korrupsionit jo vetëm në një betejë ligjore, por edhe politike e institucionale, me pasoja afatgjata për demokracinë dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri.
