Celularët mbeten ndër dhuratat më të pëlqyera të fundvitit, por në Gjermani po rritet shqetësimi publik për ndikimin e botës digjitale tek fëmijët. Ministri federal i Çështjeve Digjitale, Karsten Wildberger, është shprehur i hapur për vendosjen e një kufizimi moshe për përdorimin e mediave sociale nga fëmijët, duke e quajtur një ide tërheqëse një model të ngjashëm me atë të Australisë.
Sipas tij, studime dhe vëzhgime të shumta tregojnë se rrjetet sociale ndikojnë thellë në zhvillimin e të rinjve. Ai thekson se debati duhet të përqendrohet tek mënyra se si fëmijëve t’u garantohet një zhvillim i shëndetshëm dhe se mosha e përshtatshme duhet të peshohet me kujdes.
Në këtë kuadër, qeveria gjermane ka ngritur një komision ekspertësh për “Mbrojtjen e Fëmijëve dhe të Rinjve në Botën Digjitale”, i përbërë nga studiues, profesionistë të mjekësisë, punonjës socialë dhe kujdestarë të të rinjve. Komisioni ka nisur punën në vjeshtë dhe pritet të paraqesë rekomandimet deri në verë, përfshirë edhe propozime për kufizime moshe në rrjete sociale dhe diskutimin për ndalimin e telefonave në shkolla.
Wildberger mbështet një qasje më të rreptë edhe për mjedisin shkollor, duke argumentuar se aftësia për të mësuar pa shpërqendrime është thelbësore për fëmijët dhe se kjo është një mundësi që u detyrohemi t’ua garantojmë. Ai shton se koha e lirë dhe dëgjimi i zërave që merren çdo ditë me fëmijët, veçanërisht mësuesit, janë të rëndësishme në këtë debat.
Ministri aktual konsiderohet ministri i parë federal i Gjermanisë për Çështjet Digjitale dhe ka përgjegjësi edhe për modernizimin e shtetit dhe uljen e burokracisë. Debati gjerman po zhvillohet në një kohë kur vende të tjera, si Australia, kanë ndërmarrë masa kufizuese për llogaritë në platformat e rrjeteve sociale për moshat nën 16 vjeç, me synimin për t’i mbrojtur të rinjtë nga ngacmimet kibernetike, përdorimi problematik dhe përmbajtjet e dëmshme.
