Jo vetëm në pjesëmarrjen fizike, por edhe në hapësirën online, takimi i organizuar nga Ervin Salianji në Shkodër ka rezultuar dukshëm më i ndjekur se Foltorja e zhvilluar nga Sali Berisha në Korçë.
Të dy aktivitetet u mbajtën në të njëjtën orë, një përplasje që u pa gjerësisht si e qëllimshme, në kulmin e tensioneve të hapura brenda Partisë Demokratike. Ndërsa Berisha zhvillonte takimin e radhës të Foltores në Korçë, Salianji kishte paralajmëruar më herët bashkëbisedimin me demokratët në Shkodër.
Salla ku u zhvillua takimi i Salianjit u mbush plot, por diferenca më e madhe u pa në ndjekjen online. Sipas të dhënave të transmetimeve live në rrjetet sociale, takimi i Berishës nuk arriti të kalonte 300 shikues në kohë reale, ndërsa aktiviteti i Salianjit u ndoq nga rreth 1.1 mijë shikues live, duke shënuar afro trefishin e shikueshmërisë.
Këto shifra kanë nxitur diskutime të forta në radhët e demokratëve, sidomos në një moment kur Salianji është distancuar publikisht nga drejtuesit zyrtarë të partisë dhe është akuzuar për veprime jashtë strukturave. Nga ana tjetër, mbështetësit e tij argumentojnë se rritja e interesit dhe pjesëmarrjes reflekton pakënaqësinë e bazës ndaj drejtimit aktual të opozitës.
Përballja Shkodër–Korçë u kthye kështu në një test force të hapur brenda Partisë Demokratike, ku këtë herë epërsia, të paktën në mobilizim dhe shikueshmëri online, i shkoi qartë Ervin Salianjit.
