“Presionin nuk e njoh”, Salianji shpërthen ndaj strukturave të PD-së: Sillen si lepurusha para regjimit, si tigra para demokratëve

Data

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Ervin Salianji, zhvilloi mbrëmjen e sotme takimin e paralajmëruar me demokratët në qytetin e Shkodrës, pavarësisht mesazheve dhe thirrjeve nga strukturat zyrtare të PD-së që u kërkonin anëtarëve të mos merrnin pjesë.

Gjatë fjalës së tij, Salianji reagoi ashpër ndaj akuzave se takimi ishte i organizuar nga kryebashkiaku Benet Beci, duke i cilësuar këto pretendime si përpjekje të qëllimshme për presion dhe frikësim të bazës demokrate.

Ai akuzoi drejtues të Partisë Demokratike se po pengojnë me dashje organizimin e demokratëve të pakënaqur dhe se po tentojnë të mbajnë kontrollin e partisë përmes presioneve dhe frikës.

“Rrogëtarët e PD-së nuk i duan sallat plot. Sallat nuk mbushen prej meje apo prej emrit tim, por prej pakënaqësisë së thellë që ka çdo demokrat sot,” deklaroi Salianji.

Sipas tij, kontributi, sakrifica dhe puna e anëtarëve të PD-së po shpërfillen, ndërsa parimet dhe rregullat e statutit janë lënë në harresë. Ai kritikoi ashpër atë që e quajti sjellje të “kolltukofagëve”, të cilët, sipas Salianjit, janë të fiksuar pas karriges dhe privilegjeve personale.

“Mendojnë se mund të na bëjnë presion duke dalë në publik e duke thënë çudira. E kanë gabim. Presionin nuk e njoh,” u shpreh ai.

Duke iu referuar përballjeve të tij me qeverinë, Salianji theksoi se nuk është trembur as në momentet më të vështira.

“Nuk më bëjnë dot presion njerëz më të rëndësishëm se këta. Nuk më bëri presion as Rama në burg, ku më vendosi regjimi,” deklaroi ai.

Në vijim, Salianji hodhi akuza të drejtpërdrejta për standarde të dyfishta brenda dhe jashtë partisë.

“Janë të shumtë ata që sillen si lepurusha para regjimit, por para demokratëve duan të duken si tigra. E kanë gabim,” tha ai mes duartrokitjeve të mbështetësve.

Në përfundim, Salianji theksoi se forca e vërtetë politike dhe morale nuk buron nga rroga apo privilegjet, por nga përballja, qëndresa, sakrifica dhe dëgjimi i zërit të demokratëve. Ai nënvizoi se takimi në Shkodër është pjesë e turit të tij në qytete të ndryshme të vendit, me synimin për të dëgjuar bazën dhe për të nxitur ndryshime të thella brenda Partisë Demokratike.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related