Digjen dhjetëra autobusë në sektorin Rinia në Durrës, tymi i dendur mbulon zonën

Data

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë pasditen e sotme dhjetëra autobusë të parkuar në sektorin Rinia, në zonën e Fllakës në Durrës, duke shkaktuar panik dhe ndotje të madhe të ajrit.

Sipas informacioneve paraprake, flakët kanë përfshirë autobusë të linjave urbane që ndodheshin të rreshtuar në ambientet e një biznesi pranë rrugës kryesore. Tymi i zi dhe i dendur është përhapur me shpejtësi, duke mbuluar një pjesë të madhe të zonës përreth dhe duke u bërë i dukshëm nga larg.

Në vendngjarje kanë mbërritur disa mjete zjarrfikëse, të cilat po punojnë për vënien nën kontroll të flakëve dhe për të shmangur përhapjen e zjarrit në objekte apo mjete të tjera. Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa dëmet materiale pritet të jenë të konsiderueshme.

Shkaqet e rënies së zjarrit mbeten ende të paqarta. Autoritetet kanë nisur verifikimet paraprake, ndërsa pas shuarjes së flakëve pritet të kryhet ekspertimi për të përcaktuar nëse zjarri ka qenë aksidental apo i qëllimshëm.

Policia ndodhet në zonë për të siguruar perimetrin dhe për të orientuar qarkullimin, ndërsa u bëhet thirrje banorëve të shmangin lëvizjet në zonë për shkak të tymit të dendur dhe rrezikut për shëndetin.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related