Policia e Vlorës ka goditur një rast të tregtimit të paligjshëm të lëndëve piroteknike në prag të festave të fundvitit, duke sekuestruar 179 fishekzjarre në një subjekt tregtar.
Sipas njoftimit zyrtar, kontrollet u ushtruan nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në kuadër të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e shitjes së kundërligjshme të fishekzjarreve.
Gjatë kontrollit në një market me aktivitet ushqimor, në lagjen “Pavarësia”, u konstatuan 179 copë lëndë piroteknike, të cilat mbaheshin për tregtim në kundërshtim me ligjin. Fishekzjarret u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në lidhje me këtë rast, është proceduar penalisht në gjendje të lirë shtetasja D. K., 31 vjeçe, banuese në Vlorë, e cila ushtronte aktivitetin tregtar.
Policia bën me dije se kontrollet do të vijojnë në të gjithë territorin e qarkut Vlorë, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë festave të fundvitit, si dhe për të parandaluar rreziqet që vijnë nga përdorimi i lëndëve piroteknike të palejuara.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.
