Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, i ka bërë thirrje Meksikës të rrisë përpjekjet në luftën kundër karteleve të drogës, pas operacionit që çoi në vrasjen e Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”, kreu i Kartelit të Gjeneratës së Re të Jaliscos (CJNG).
Në një reagim në platformën e tij Truth Social, Trump deklaroi se “Meksika duhet të shtojë përpjekjet e saj kundër karteleve dhe drogës”.
Operacioni ushtarak u zhvillua në shtetin e Jaliscos, ku forcat federale meksikane ndërhynë ndaj strukturave të kartelit. Pas aksionit, u raportuan bllokime rrugësh, djegie automjetesh dhe incidente të tjera dhune, të cilat autoritetet i lidhën me reagime hakmarrëse nga grupe kriminale.
Qeveria lokale u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi, pezulloi transportin publik dhe aktivizoi alarm të kuq për shkak të rrezikut ndaj sigurisë publike.
