Një stuhi e fortë dimërore ka përfshirë zonën e gjerë të Nju Jorkut dhe shtetet e verilindjes së Shteteve të Bashkuara, duke shkaktuar probleme serioze në qarkullim dhe paralizim të transportit, në kulmin e sezonit festiv.
Reshjet intensive të dëborës, ngricat dhe dukshmëria e ulët kanë sjellë anulime masive fluturimesh dhe rreziqe të shtuara për lëvizjen rrugore dhe ajrore. Sipas të dhënave të monitorimit të trafikut ajror, vetëm gjatë një dite janë anuluar mbi 1.600 fluturime, ndërsa më shumë se 7.800 të tjera kanë pësuar vonesa të konsiderueshme.
Më të goditurat janë tre aeroportet kryesore që shërbejnë zonën e Nju Jorkut: John F. Kennedy, Newark Liberty International dhe LaGuardia, të cilat raportojnë numrin më të madh të anulimeve. Autoritetet aeroportuale u kanë bërë thirrje udhëtarëve të kontrollojnë vazhdimisht oraret dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme.
Paralajmërime për mot të ashpër dimëror janë lëshuar për një pjesë të madhe të verilindjes së SHBA-së, duke përfshirë Pensilvaninë, Masaçusetsin, Nju Xhersin dhe Konektikatin. Mbi 60 milionë persona janë vënë në dijeni për kushte të rrezikshme atmosferike.
Sipas parashikimeve, Nju Jorku pritet të përjetojë reshjet më të dendura të dëborës në katër vitet e fundit, me intensitet që në disa momente arrin deri në 5 centimetra në orë.
Moti ekstrem ka goditur gjatë periudhës së festave të fundvitit, duke vështirësuar kthimin e miliona qytetarëve në punë dhe duke shkaktuar kaos në udhëtime, si brenda vendit ashtu edhe në fluturimet ndërkombëtare.
