Kanë hyrë në fuqi çmimet e reja të referencës që përdoren nga doganat për zhdoganimin e automjeteve të përdorura, duke shënuar rritje deri në 25% për kategori të ndryshme mjetesh.
Rritja prek autoveturat, kamionçinat, furgonët dhe kamionët, veçanërisht ato me vit prodhimi më të hershëm se vitet e fundit të publikuara në buletinet zyrtare të çmimeve europiane. Çmimet e referencës përdoren në rastet kur nuk pranohet vlera e transaksionit dhe shërbejnë si bazë minimale për vlerësimin doganor.
Sipas udhëzimit të ri të Ministrisë së Financave, për automjetet me cilindratë nga 1400 deri në 1900 cc, pragu minimal i zhdoganimit rritet nga 200 mijë lekë në 250 mijë lekë. Për automjetet nga 1900 deri në 2500 cc, vlera minimale rritet nga 325 mijë lekë në 406 mijë lekë.
Automjetet me cilindratë nga 2500 deri në 3000 cc do të zhdoganohen jo më pak se 500 mijë lekë, nga 400 mijë lekë më parë, ndërsa për mjetet nga 3000 deri në 4500 cc, pragu minimal rritet në 625 mijë lekë. Për automjetet mbi 4500 cc, vlera minimale mbetet 1 milion lekë.
Rritje me 25% ka edhe për mjetet e transportit. Kamionçinat dhe furgonët deri në 1.5 tonë do të zhdoganohen jo më pak se 500 mijë lekë, ndërsa për kapacitet nga 1.5 deri në 3.5 tonë, pragu rritet në 750 mijë lekë.
Për kamionët nga 3.5 deri në 10 tonë, vlera minimale rritet në mbi 1 milion lekë, për ata nga 10 deri në 15 tonë në 1.25 milion lekë, ndërsa për kamionët mbi 15 tonë, pragu minimal arrin në 1.5 milion lekë.
Udhëzimi i ri ka hyrë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe synon përditësimin e vlerave doganore në përputhje me çmimet e tregjeve europiane.
