Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, do të vijojë turin e takimeve me strukturat dhe mbështetësit demokratë në qytete të ndryshme të vendit. Takimi i radhës do të zhvillohet të shtunën në Shkodër.
Salianji do të takohet me demokratët dhe strukturat lokale të PD-së në orën 18:00, në ambientet e hotel “Rozafa”. Ky takim vjen pas ndalesave të mëparshme në Elbasan, Durrës dhe Gjirokastër.
Takimi i zhvilluar në Elbasan u shndërrua në burim përplasjeje brenda Kryesisë së PD-së, pasi Salianji u akuzua nga drejtues të lartë të partisë se aktiviteti ishte organizuar me mbështetje të elementëve kriminalë, akuza të cilat ai i ka mohuar.
Pas protestës së zhvilluar të hënën, drejtues të PD-së deklaruan se Salianji është vetëpërjashtuar nga strukturat drejtuese të partisë, një pretendim që nuk është formalizuar zyrtarisht.
Sipas burimeve pranë ish-deputetit, qëllimi i këtyre takimeve është hapja e Partisë Demokratike ndaj të rinjve, dëgjimi i kandidatëve nga listat e hapura që nuk arritën të marrin mandat në zgjedhjet e 11 majit, si dhe rigjallërimi i partisë për ta bërë atë më konkurruese përballë Partisë Socialiste.
