Avokati Ledio Braho: Balluku duhej të kishte dhënë dorëheqjen, mazhoranca ka standard të dyfishtë! Hije dyshimi mbi vendimin e Kushtetueses

Data

I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, avokati Ledio Braho u shpreh se, pas skandalit ku është përfshirë zv/kryeministrja Belinda Balluku, ajo duhej të kishte dhënë dorëheqjen. Sipas tij, bëhet fjalë për afera të rënda korrupsioni dhe zyrtarët e përfshirë duhet të hetohen dhe gjykohen si qytetarë të zakonshëm, pa mbrojtje politike.

Braho kritikoi ashpër qëndrimin e kryeministrit Edi Rama, duke theksuar se reagimi i tij ka qenë i vonuar dhe se mazhoranca po aplikon standard të dyfishtë në raport me drejtësinë. Sipas avokatit, kryeministri nuk mund të sillet sikur nuk ka dijeni për një zinxhir të gjatë përgjegjësish që përfshin administratën shtetërore.

Ai komentoi gjithashtu kërkesën e paraqitur nga kryeministri në Gjykatën Kushtetuese, duke theksuar se pezullimi nga detyra i zv/kryeministres nuk cenon kompetencat kushtetuese të kreut të qeverisë për të propozuar ministra. Sipas Brahos, kjo kërkesë duhet të rrëzohet dhe pritet të shqyrtohet më 22 janar.

Avokati shprehu shqetësim edhe për pezullimin e vendimmarrjes së Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, të cilin e cilësoi si një vendim të nxituar dhe të paargumentuar. Sipas tij, fakti që një person për të cilin është kërkuar masë sigurimi për të shmangur intimidimin e dëshmitarëve mbetet në detyrë, krijon një ndërhyrje jo proporcionale në procesin gjyqësor.

Braho theksoi se mungesa e argumentimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese hedh hije dyshimi mbi gjithë procesin dhe ngre pikëpyetje serioze mbi standardet e vendimmarrjes. Sipas tij, mbetet për t’u parë nëse Kuvendi do të marrë një vendim për imunitetin e Belinda Ballukut përpara datës 22 janar, apo nëse çështja do të zgjidhet përfundimisht nga Gjykata Kushtetuese.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related