Zhduken 31 dele të sekuestruara, pikëpyetje mbi administrimin e aseteve shtetërore

Data

Një tjetër episod ngre dyshime serioze mbi mënyrën se si po administrohen asetet e sekuestruara nga shteti. Pas rastit të zhdukjes së verës së sekuestruar gjatë kontrolleve të kryera nga autoritetet hetimore, tashmë në fokus janë edhe 31 krerë dele, të cilat rezultojnë të jenë “avulluar” brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore.

Sipas dokumentacionit zyrtar të Agjencisë së Administrimit të Aseteve të Sekuestruara dhe Konfiskuara, në muajin mars ishte shpallur një ankand për shitjen e 87 deleve të racës Lakon Franceze, të cilat ndodheshin në zonën e Darëshit, në njësinë administrative Linzë. Ankandi u anulua për shkak të mungesës së pjesëmarrësve, një procedurë e zakonshme në raste të tilla.

Por situata bëhet e paqartë vetëm pak javë më vonë. Në prill 2025, kur procedura rihapet, në dokumentet zyrtare figurojnë vetëm 56 dele, pra 31 më pak se sa numri i deklaruar më parë.

Asnjë shpjegim zyrtar nuk shoqëron këtë ndryshim. Nuk ka informacion nëse kafshët kanë ngordhur, janë zhvendosur, janë shitur jashtë procedure apo janë zhdukur për arsye të tjera. Mungesa e transparencës dhe heshtja institucionale shtojnë dyshimet për keqadministrim dhe mungesë kontrolli mbi pasuritë që shteti ka për detyrë t’i ruajë dhe t’i menaxhojë.

Rasti ngre pikëpyetje të forta mbi përgjegjshmërinë institucionale dhe mbi mekanizmat e monitorimit të aseteve të sekuestruara, të cilat duhet të mbrohen në interes të publikut dhe ligjit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related