Zbardhet pasuria e Ergys Agasit: paga, prona, automjete dhe qindra mijëra euro cash

Data

Emri i Ergys Agasit është kthyer ditët e fundit në qendër të vëmendjes publike, pas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme për goditjen e një grupi të strukturuar kriminal në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Në këtë kontekst, janë bërë publike deklaratat vjetore të pasurisë së tij ndër vite, të cilat hedhin dritë mbi gjendjen financiare të ish-kryeinspektorit të Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve.

Në vitin 2014, kur Ergys Agasi nisi detyrën si kryeinspektor, ai deklaronte një pasuri të konsiderueshme, kryesisht të përfituar nga trashëgimia familjare. Sipas deklarimit fillestar, Agasi zotëronte një dyqan në Durrës me vlerë rreth 25 milionë lekë, një automjet me vlerë rreth 16 milionë lekë, si dhe rreth 200 mijë euro cash, të ardhura nga shitja e një prone të trashëguar.

Në të njëjtin vit, të ardhurat e tij nga paga si funksionar publik ishin rreth 1 milion e 70 mijë lekë të vjetra në muaj.

Deklaratat e pasurisë për vitet pasuese, konkretisht 2015, 2016 dhe 2017, tregojnë ndryshime në strukturën e pasurisë. Ndërsa shuma e parave cash në dispozicion rezulton të jetë ulur, pasuria e paluajtshme është shtuar ndjeshëm. Në vitin 2017, shuma e parave cash e deklaruar ishte rreth 106 mijë euro.

Gjatë kësaj periudhe, Agasi ka shitur automjetin Volkswagen Phaeton dhe ka blerë një automjet tjetër tip Mercedes-Benz me vlerë rreth 20 mijë euro. Po ashtu, ai ka deklaruar blerjen e një apartamenti me vlerë rreth 70 mijë euro, një garazh me vlerë 22 mijë euro, si dhe përfitime financiare nga kuota aksionesh në një shoqëri tregtare, në vlerë prej rreth 22 milionë lekësh të vjetra.

Sipas deklarimeve zyrtare të pasurisë, rezulton se Ergys Agasi ka pasur një bazë financiare të trashëguar nga familja, por krahasuar me zhvillimet pasuese, kjo pasuri konsiderohet modeste në raport me rritjen e mëvonshme të aktivitetit të tij ekonomik.

Në vitet e fundit, sipas të dhënave të bëra publike, ai rezulton i lidhur me disa shoqëri tregtare, si themelues apo ortak, ndërsa hetimet po përqendrohen edhe te përfitimet nga tenderat publikë dhe roli i tij i dyshuar në ndërmjetësimin mes biznesit dhe funksionarëve të lartë shtetërorë.

Hetimet për këtë çështje vijojnë, ndërsa autoritetet pritet të sqarojnë burimin dhe ligjshmërinë e plotë të pasurisë së krijuar ndër vite.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related