Detaje të reja janë zbardhur nga dosja hetimore që Prokuroria e Posaçme i ka dërguar Kuvendit, në kuadër të kërkesës për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Në qendër të hetimeve janë komunikimet mes saj dhe ish-drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, të cilat sipas prokurorisë tregojnë mënyrën se si paracaktoheshin fituesit e koncesioneve dhe tenderëve publikë.
Një nga projektet kryesore të përfshira në dosje është koncesioni për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës Thumanë–Kashar, me vlerë rreth 245 milionë euro. Bisedat e zbardhura, që i përkasin datës 15 qershor 2021, sipas SPAK tregojnë një koordinim të drejtpërdrejtë mes ministres dhe vartësit të saj lidhur me ecurinë e projektit dhe palët përfituese.
Në këto mesazhe, Balluku i referohet një takimi me biznesmenin Bashkim Ulaj, duke theksuar përfshirjen personale në projekt dhe ndikimin që, sipas saj, kishte ushtruar për realizimin e koncesionit.
Pjesë nga komunikimet e zbardhura:
Belinda Balluku: “Isha me Bashkimin dje.”
Evis Berberi: “Si shkoi?”
Belinda Balluku: “Dhe i thashë që kjo është sfida ime dhe e tij.”
Evis Berberi: “Po prandaj ndihej ndryshimi sot.”
Belinda Balluku: “Unë po i bëj nderin e jetës me Thumanë–Kashar, ndaj ai do bëhet copë.”
Sipas prokurorisë, këto biseda tregojnë jo vetëm ndikim politik në një projekt strategjik, por edhe një marrëdhënie të drejtpërdrejtë mes autoritetit kontraktor dhe përfituesve të kontratës, duke ngritur dyshime serioze për shkelje të barazisë në tendera.
Në dosje përfshihen gjithashtu edhe komunikime të tjera që lidhen me tenderin për ndërtimin e rrugës së Porto Romanos në Durrës. Në këto mesazhe, Balluku informon Berberin se ka takuar biznesmenin Ramë Geci me kërkesë të kryeministrit, fakt që sipas SPAK implikon edhe nivele më të larta të vendimmarrjes politike në procesin e paracaktimit të fituesve.
Prokuroria thekson se pas marrjes zyrtarisht si e pandehur, Balluku dyshohet se ka ushtruar presion ndaj anëtarëve të komisioneve të vlerësimit të ofertave, përfshirë edhe raste të lidhura me tenderin e tunelit të Llogarasë.
Hetimet vijojnë, ndërsa kërkesa për heqjen e imunitetit dhe autorizimin e arrestimit të saj pritet të shqyrtohet nga Kuvendi në ditët në vijim.
