Rrethi ngushtohet për Ballukun, SPAK kryen kontrolle ndaj 19 zyrtarëve dhe biznesmenëve

Data

Hetimet ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku kanë hyrë në një fazë të re, pasi Prokuroria e Posaçme ka intensifikuar veprimet hetimore lidhur me dyshimet për abuzime në tendera publikë në sektorin e infrastrukturës dhe energjisë.

Me urdhër të SPAK, Byroja Kombëtare e Hetimit ka zhvilluar gjatë kësaj të premteje 19 kontrolle në banesa dhe ambiente pune të zyrtarëve shtetërorë dhe biznesmenëve të dyshuar si të përfshirë në dosjen hetimore. Kontrollet kanë pasur për qëllim sekuestrimin e dokumenteve dhe materialeve që mund të shërbejnë si prova në vijim të hetimeve.

Burime pranë hetimit bëjnë me dije se mes personave ndaj të cilëve janë ushtruar kontrolle janë ish-zyrtarë të lartë të Ministrisë së Infrastrukturës, drejtues aktualë dhe të mëparshëm të institucioneve publike, si dhe përfaqësues të kompanive private që kanë përfituar kontrata dhe projekte infrastrukturore.

Po ashtu, kontrolle janë kryer edhe ndaj disa biznesmenëve të njohur për përfitimin e projekteve publike, ndërsa disa zyrtarë janë marrë në pyetje nga hetuesit në cilësinë e personave në dijeni.

Belinda Balluku akuzohet për paracaktim të fituesve në tenderin e ndërtimit të Tunelit të Llogarasë, si dhe për shkelje të procedurave në projektet e Unazës së Madhe. Ajo është marrë zyrtarisht e pandehur nga SPAK më 31 tetor, ndërsa së fundmi Prokuroria i është drejtuar Kuvendit me kërkesë për heqjen e imunitetit dhe autorizimin për arrestimin e saj.

Hetimet vijojnë, ndërsa pritet që në ditët në vijim SPAK të sqarojë nëse kontrollet do të pasohet nga masa të reja sigurie për persona të tjerë të përfshirë në dosje.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related