Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka ngritur akuza të forta ndaj qeverisjes gjatë një interviste televizive, duke deklaruar se shteti është i kapur dhe se fondet publike po përfundojnë në korrupsion, afera dhe luks, në dëm të qytetarëve.
Sipas saj, përfshirja e individëve të denoncuar në nivele të larta shtetërore përbën jo vetëm problem politik, por edhe cënim serioz të sigurisë kombëtare dhe të standardeve të NATO-s. Xhixho theksoi se lidhjet mes pushtetit dhe grupeve kriminale kanë ndikuar drejtpërdrejt në mënyrën se si shpërndahen fondet publike dhe si përcaktohen fituesit e tenderëve.
Ajo u ndal veçanërisht te fondet e menaxhuara nga institucionet shtetërore, duke theksuar se vetëm gjatë viteve të fundit janë administruar qindra milionë euro, të cilat sipas saj janë shndërruar në “gropa thithëse korrupsioni”, në vend që të përdoren për rritjen e pensioneve, përmirësimin e shërbimeve publike dhe mbështetjen e shtresave në nevojë.
“Ndërkohë që pensionistët mezi mbyllin muajin me rreth 170 euro pension dhe një pjesë e mirë e këtij të ardhuri u rikthehet shtetit përmes TVSH-së dhe taksave, paratë publike shpenzohen për luks, udhëtime charter, projekte të dyshimta dhe afera të mëdha korruptive”, u shpreh Xhixho.
Ajo shtoi se buxheti i vitit 2026, sipas saj, nuk reflekton nevojat reale të qytetarëve, pasi rritja e pensioneve mbetet minimale, ndërkohë që shpenzimet për projekte luksoze dhe të diskutueshme vazhdojnë. Xhixho theksoi se qytetarët shqiptarë paguajnë rregullisht taksat, por përfitimet nuk u kthehen në shërbime apo mirëqenie.
Në përfundim, zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë u shpreh se para ka në buxhetin e shtetit, por problemi qëndron tek keqmenaxhimi dhe vjedhja e tyre, duke bërë thirrje për më shumë transparencë, përgjegjësi dhe ndëshkim të korrupsionit në nivelet më të larta të pushtetit.
