“Dosjet i nxorën zbuluar” – Noka: Rilindja erdhi vetëm për të vjedhur dhe plaçkitur

Data

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka reaguar ashpër lidhur me zhvillimet e fundit politike dhe protestat opozitare, duke deklaruar se skandalet e bëra publike kanë nxjerrë në dritë, sipas tij, natyrën e vërtetë të qeverisjes së “Rilindjes”.

I ftuar në një emision televiziv, Noka u shpreh se protestat e fundit ishin pasojë direkte e aferave të rënda të denoncuara dhe se pjesëmarrja masive e qytetarëve tregoi qartë revoltën ndaj padrejtësisë, korrupsionit dhe kapjes së shtetit.

Sipas tij, Partia Demokratike dhe kryetari Sali Berisha kanë paralajmëruar prej vitesh se kjo qeveri nuk ka ardhur për të qeverisur, por për të vjedhur dhe për të shndërruar shtetin në një instrument të krimit të organizuar. Noka theksoi se dy dosjet e fundit hetimore, për të cilat foli edhe opozita, kanë konfirmuar publikisht atë që, sipas tij, është denoncuar prej 12 vitesh.

“Shqiptarët panë qartë se Rilindja nuk përfaqëson asgjë tjetër përveçse një sekt kriminalo-korruptiv, me një qëllim të vetëm: të vjedhë, të zhvasë dhe të plaçkitë Shqipërinë dhe shqiptarët”, u shpreh Noka. Ai shtoi se këto skandale kanë nxjerrë zbuluar mënyrën se si krimi i organizuar, sipas tij, kontrollon tendera, koncesione, emërime dhe vendimmarrje shtetërore.

Noka deklaroi se jehona ndërkombëtare e protestave dhe e dosjeve hetimore ka treguar se tashmë edhe faktori ndërkombëtar është i qartë për situatën në Shqipëri. Sipas tij, është konfirmuar ajo që opozita ka denoncuar prej vitesh: se vendi është shndërruar në një “narko-shtet”, ku kartelet dhe grupet kriminale diktojnë politikën dhe qeverisjen.

Ai u ndal edhe te çështja e AKSHI-t, duke e cilësuar atë si një nga skandalet më të rënda, që sipas tij ka cenuar jo vetëm sigurinë kombëtare të Shqipërisë, por edhe të partnerëve të NATO-s. “Shqiptarët panë se si një ‘deep state’ kriminal ka kapur institucionet dhe kontrollon gjithçka”, tha Noka.

Në përfundim, Sekretari i Përgjithshëm i PD theksoi se opozita nuk do të ndalet dhe se protestat do të vijojnë në mënyrë të vazhdueshme deri në largimin e qeverisë aktuale. Ai kërkoi krijimin e një qeverie teknike që, sipas tij, do të garantonte stabilitetin dhe do t’i hapte rrugë zgjedhjeve të lira dhe demokratike, ku vullneti i qytetarëve të shprehet pa presion, pa korrupsion dhe pa ndikimin e krimit të organizuar.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related