Prej disa ditësh, platforma shtetërore e-Albania po përballet me një bllokim serioz teknik, duke paralizuar një sërë shërbimesh thelbësore për qytetarët dhe bizneset, brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Qytetarët raportojnë se në sistem nuk shfaqen data të lira për rezervime për shërbime bazë, si aplikimet për pasaporta dhe karta identiteti, shërbimet konsullore jashtë vendit, si edhe procedurat pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, përfshirë regjistrime, ndryshime të të dhënave apo marrjen e dokumenteve zyrtare për kompani.
Zinxhir konfuzioni institucional
Bllokimi i platformës ka krijuar një konfuzion të plotë institucional. Konsullatat u komunikojnë qytetarëve se aplikimet për dokumente bëhen vetëm përmes e-Albania dhe nuk ekziston alternativë tjetër. Nga ana tjetër, platforma deklaron se oraret janë të zëna ose sistemi është i bllokuar dhe i referon qytetarët te Ministria e Jashtme.
Ndërkohë, Ministria e Jashtme në Tiranë u kërkon qytetarëve të “presin një moment të dytë”, pa dhënë asnjë afat konkret për zgjidhjen e problemit. Vetë konsullatat kanë pranuar se sistemi është i ngrirë për shkak të një defekti teknik të paparashikuar, por pa asnjë informacion se sa mund të zgjasë kjo situatë.
Kur bie platforma, bie shteti online
Problemi kryesor nuk është vetëm defekti teknik, por fakti se mungon një plan alternativ funksional. Meqë e-Albania është kthyer në të vetmen portë për shërbimet publike, çdo problem teknik e paralizon të gjithë shtetin online.
Pasojat janë të drejtpërdrejta: qytetarë që nuk mund të rinovojnë dokumentet personale dhe biznese që nuk kryejnë dot procedura ligjore bazë, duke pësuar dëme reale financiare dhe administrative.
Moment kritik për digjitalizimin
Ky bllokim ndodh në një moment veçanërisht delikat për sistemet digjitale shtetërore, pas skandaleve dhe incidenteve të mëparshme që kanë goditur infrastrukturën e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), institucion që administron platformat kryesore elektronike të shtetit dhe që aktualisht është nën verifikim nga organet e drejtësisë.
Situata ka rikthyer shqetësimet për sigurinë, qëndrueshmërinë dhe varësinë totale të administratës publike nga një sistem i vetëm digjital, pa mekanizma rezervë për raste emergjente.
