Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka akuzuar mazhorancën se po e kthen Kuvendin në një “bunker” për të mbrojtur zëvendëskryeministren Belinda Balluku, ndaj së cilës SPAK ka kërkuar heqjen e imunitetit dhe autorizim për arrestim.
Në një prononcim për mediat, Bardhi deklaroi se pesë anëtarët demokratë të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin nuk u lejuan të hynin në sallë për të zhvilluar mbledhjen e thirrur për shqyrtimin e kërkesës së SPAK. Sipas tij, urdhri për mbylljen e sallës është dhënë nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, i cili – sipas Bardhit – ka shndërruar zyrën e tij në “zyrë avokatie” për të mbrojtur Ballukun.
“Kuvendi është kthyer në bunkerin e Belinda Ballukut, ku mendojnë se do të strehojnë çdo të korruptuar të qeverisë dhe do të marrin peng drejtësinë. E kanë gabim. Kryetari i Kuvendit po përdor funksionin e tij për të zvarritur një kërkesë urgjente të Prokurorisë së Posaçme”, u shpreh Bardhi.
Ai akuzoi mazhorancën se po tenton t’i japë kohë Ballukut për të intimiduar dëshmitarët dhe për të prishur provat, duke iu referuar edhe dëshmisë së një vartëseje të saj, e cila – sipas SPAK – ka bashkëpunuar me prokurorët dhe ka raportuar presione direkte. Bardhi tha se shkresa e dërguar nga Peleshi drejt deputetëve është “e pakuptueshme” dhe e shkruar, sipas tij, “me gjuhën e korrupsionit”.
“Na ka ardhur një letër që e kemi lexuar pesë herë dhe nuk kuptohet çfarë thotë. Justifikime për t’i dhënë kohë Ballukut, duke pretenduar se duhet pritur një vendim tjetër. Kjo është pengim i hapur i drejtësisë”, theksoi ai.
Bardhi zbuloi gjithashtu se në kërkesën zyrtare të SPAK drejtuar Kuvendit, shuma e dëmit të dokumentuar është rritur ndjeshëm. “Nga 210 milionë euro që ishte vlera fillestare e abuzimeve, sot Prokuroria e Posaçme ka dokumentuar 1.1 miliardë euro vjedhje. Për këtë arsye po kërkohet një masë më e ashpër sigurie”, deklaroi ai.
Sipas opozitës, refuzimi për të lejuar mbledhjen e Këshillit të Mandateve është një akt i paprecedentë që synon të bllokojë procedurat kushtetuese dhe të mbrojë zyrtarë të lartë të përfshirë në afera korruptive. Deputetët demokratë paralajmëruan se do të vijojnë përpjekjet për thirrjen e Këshillit, duke e cilësuar këtë çështje si test për funksionimin e shtetit të së drejtës dhe pavarësinë e drejtësisë.
