Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani komentoi për TV21 debatin për gjuhën shqipe. Ai theksoi se nuk ka asgjë që e cenon gjuhën shqipe, pasi është një realitet i pamohueshëm.
Meidani tha se, gjuha shqipe është një e drejtë kushtetuese e fituar dhe shtoi se, është e çimentuar që në themelet e këtij shteti.
“Nuk ka asgjë që e cenon gjuhën shqipe, është një realitet i pamohueshëm këtu, në Shqipëri dhe në rajon. Nuk I kuptoj nuancat dhe nuk dua të hyjë në të tilla diskutime që kryeministri i definoi si labirinte juridiko apo gazetareske të çështjes. Çështja e gjuhës shqipe është një çështje e të drejtave kushtetuese në këtë vend dhe për rrjedhojë është e çimentuar në themelet e këtij shteti. Mos keni asnjë shqetësim se është një e drejtë kushtetuese e fituar dhe një nga pilarët e Marrëveshjes së Ohrit”, tha Meidani.
Në lidhje me ngjarjen që ndodhi në festën e 28 Nëntorit, ku një polic maqedonas hoqi flamurin shqiptar nga një shtyllë, Meidani tha se janë në pritje të një vendimi zyrtar dhe nuk dëshiron ta paragjykojë rastin.
“Po pres një vendim s ai përket kësaj gjëje. Sigurisht se nuk është fare e këndshme dhe nuk mund të fshihemi pas faktit se ishte duke zhvendosur apo ku e di unë, se zhvendosja në këtë rast është në autoritetin e bashkisë, se kur mbaron një aktivitet duhet të hiqen ato simbole që ishin vendosur për rastin në fjalë. Jemi në pritje dhe nuk dua ta paragjykojë rastin”, tha Meidani.
