PD s’u lejua të mblidhte Këshillin e Mandateve për Ballukun, ironizon Bardhi: Në një nga sallat e Kuvendit mund të jetë strehuar Ergys Agasi

Data

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka ironizuar mazhorancën pasi deputetët e opozitës nuk u lejuan të zhvillonin mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ku ishte parashikuar shqyrtimi i kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Në prononcimin për mediat, Bardhi deklaroi se mbyllja e dyerve të sallave të Kuvendit përbën një akt të paprecedentë dhe një përpjekje të hapur për të penguar drejtësinë. Me tone ironike, ai u shpreh se nuk do të ishte çudi që në një nga sallat e mbyllura të ishte “strehuar” Ergys Agasi, biznesmeni i shpallur në kërkim për dosjen e tenderave të AKSHI-t.

“Të lejohet hetimi i plotë, i pandikuar dhe i pacenuar për rastin Balluku. Çfarë shohim sot? Mbyllin Kuvendin, i japin urdhër gardës të mos lejojë mediat në ambientet e Grupit Parlamentar të PD-së. Nuk do të ishte çudi që në një nga sallat e mbyllura të jetë strehuar Ergys Agasi,” u shpreh Bardhi.

Ai shtoi se, pavarësisht pengesave institucionale, drejtësia nuk do të ndalet dhe se Balluku nuk do t’i shmanget përgjegjësisë ligjore. Sipas tij, edhe nëse zëvendëskryeministrja e kalon Vitin e Ri në shtëpi, procesi penal do të vijojë deri në fund.

“Belinda Balluku mund ta festojë Vitin e Ri në shtëpi, por nuk mund t’i shpëtojë drejtësisë. Nuk mund t’u vidhen shqiptarëve shuma të tilla dhe të mos ketë pasoja,” theksoi Bardhi.

Në përfundim, ai paralajmëroi se opozita do të kërkojë sërish javën e ardhshme mbledhjen e Këshillit të Mandateve, duke e cilësuar këtë çështje si një test të rëndësishëm për funksionimin e shtetit të së drejtës dhe respektimin e procedurave kushtetuese.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related