Një situatë e papritur dhe e pakëndshme i ka ndodhur çiftit të njohur të muzikës shqiptare, Adri dhe Ilirjana, gjatë qëndrimit të tyre në Maqedoninë e Veriut.
Dy këngëtarët kanë bërë të ditur se automjeti i tyre është vjedhur, duke i detyruar të kërkojnë ndihmën e qytetarëve për ta lokalizuar. Lajmi është shpërndarë nga vetë Adri përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ai u bën thirrje shqiptarëve që jetojnë në Maqedoninë e Veriut të ndihmojnë me çdo informacion të mundshëm.
“Ju kisha lutur shqiptarëve të Maqedonisë të na ndihmojnë për gjetjen e veturës, pasi e kemi lajmëruar rastin edhe në institucionet përkatëse”, shkruan këngëtari.
Ai ka publikuar gjithashtu edhe një numër kontakti për këdo që mund të ketë informacion që çon në gjetjen e automjetit. Deri më tani, nuk janë dhënë detaje të tjera mbi zonën apo rrethanat e vjedhjes.
Adri dhe Ilirjana u martuan në tetor të vitit të kaluar, pas disa vitesh lidhjeje, dhe gëzojnë një popullaritet të lartë në publik, çka ka bërë që thirrja e tyre për ndihmë të marrë mbështetje të gjerë nga ndjekësit.
